Monday, October 20, 2014
A ishte Shejhul Islam Ibn Tejmije, Nasibij dhe Munafik i cili fliste kundër sahabëve?
Bidatçitë dhe heretikët shpërndajnë gënjeshtra në lidhje me Shejhul Islam Ibn Tejmijen
Pyetja: Shejh na ka arritur kjo pyetje të cilën e përcollëm deri tek ju: Selamu alejkum. Pse Shejhul Islam Ibn Tejmije ka folur keq në lidhje me Imam Ali (Ibn Ebi Talibin), Ebu Bekrin, Omer Ibn Hatabin, Fatimen dhe Husejnin radiallahu anhum, sepse i kam lexuar disa thënie të Shejhul Islamit të cilat janë kundër këtyre sahabëve në faqe të bidatçive?
A është e vërtetë se dijetarët e kanë quajtur atë (Shejhul Islam Ibn Tejmijen) Nasibij (1) dhe se ai është konsideruar munafik (hipokrit), sikurse e ka përmendur Shejh Ibn Haxher Eskalani? Allahu ju shpërbleftë për punën tuaj.
Përgjigje: Të gjitha lavdërimet e përsosura i takojnë Allahut, Zotit të Botërave. Unë dëshmojë se nuk ka asnjë të denjë për adhurim përveç Allahut, dhe se Muhamedi, është rob dhe i Dërguari i Tij.
Kushdo që thotë thënie të tilla në lidhje me Shejhul Islam Ibn Tejmijen, Allahu e mëshiroftë atë, është njëri nga dy gjëra: injorant ose paragjykues.
Libri i tij ''Minhexh Es-Sunneh En-Nebeuije'' është libri në të cilin ai ka shkruar më së shumti në lidhje me Ebu Bekrin, Omerin, Aliun dhe Fatimen dhe pjesën tjetër të familjes së të Dërguarit, Allahu qoftë i kënaqur me ata të gjithë.
Kushdo që e akuzon Shejhul Islam Ibn Tejmijen se ka ofenduar ndonjërin prej këtyre njerëzve të nderuar, të devotshëm dhe të pafajshëm, ose është duke gënjyer rreth tij duke i atribuar atij diçka të cilën ai fillimisht nuk e ka thënë, ose duke paraqitur një pjesë të asaj të cilën ai e ka thënë në mënyrë që të zhgënjejë lexuesin që të besojë se thënia e tillë është e Shejhul Islam Ibn Tejmijes, ndërsa ai e ka cituar atë për ta hedhur poshtë (për ta përgënjeshtruar). Kjo ndodhë shumë nga armiqtë e tij. (2)
Allahu ka ndaluar (pra nuk është e vërtetë, sh.p.) që (Shejh) Ibn Haxher Eskalani të përshkruan (Shejhul Islam) Ibn Tejmijen si Nasibij ose Munafik (Hipokrit).
Megjithatë, ai ka cituar në librin e tij ''Ed-Durer El-Kamineh'', i cili është një libër i historisë, nën biografinë e Ibn Tejmijes disa nga thëniet e armiqve të Ibn Tejmijes, ndër të cilat është edhe kjo që ju përmendet.
Por pas kësaj ai ka përmendur thëniet e atyre që e kanë lavdëruar atë (Shejhul Islam Ibn Tejmijen), sikur t'u ishte përgjigjur (sikur kundërpërgjigje ndaj) armiqve të tij (të Shejhul Islam Ibn Tejmijes) të cilët kanë bërë deklarata qortuese kundër tij. (3)
Pse personi i cili i ka cituar thëniet e tilla nga Ibn Haxheri - të cilat nuk janë fjalët e tij siç e sqaruam - nuk i ka përmendur thëniet tjera të cilët e kanë lavdëruar atë?
Përgjigja është e qartë: ai është një njeri me qëllime të liga (të këqija) dhe me sëmundje në zemrën e tij, dhe ai nuk ka asnjë lloj të integritetit shkollor (pra nuk është i ndershëm dhe i besueshëm në atë që vepron, sh.p.); kështu që si mund t'i besohet diturisë së tij, dhe si mundet ndonjëri të mësojë fenë prej tij? (4)
Zakonisht, bidatçitë dhe njerëzit e prirjeve të korruptuara (prishura) janë të mësuar të gënjejnë kur ata kanë mosmarrëveshje (dhe debatojnë), dhe ata trillojnë (sajojnë) gënjeshtra kundrejt kundërshtarëve të tyre.
Kjo është veçanërisht zakon i atyre të cilët e mbajnë Tukjen (fshehjen) - e cila dërgon në gënjeshtra dhe hipokrizi - të jetë një rit fetar nga e cila ata pretendojnë të kërkojnë përkrahjen e Allahut, Zotit të Botërave.
Së fundi, ia vlen të përmendet se është një rrezik i madh që të vizitohen faqet e internetit të bidatçive dhe heretikëve, sidomos për një person i cili nuk është me themele të shëndosha në fe (pra nuk ka dije në çështjet e fesë), kështu që ju duhet të jeni shumë i kujdesshëm.
Allahu e di më së miri.
Fetuaja me numër 268642, drejtuar Shejhut, Dr. Abdullah El-Fekihut, specialist në fikh dhe në gjuhë arabe.
Pyetja është parashtruar dhe është përkthyer nga: Jetmir Jakupi
1. Nasibij janë ata që e urrejnë Aliun radiallahu anhu, dhe familjen e të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ue selem.
2. Është për qëllim se Shejhul Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, shpesh herë në librat e tij, i citon fjalët që janë thënë nga grupacionet e devijuara për ndonjë sahabij apo dijetarë apo për ndonjë prej çështjeve të besimit, dhe mandej po të njëjtat fjalë (që janë të gabuara dhe të devijuara) i demanton apo përgënjeshtron ato dhe e sqaron se si ka qenë e vërteta në ato çështje.
Ndërsa shpesh herë bidatçitë me qëllim që ta sulmojnë Shejhul Islam Ibn Tejmijen dhe t'ua mjegullojnë besimtarëve qëndrimin ndaj tij, i shkëpusin fjalët e Shejhul Islamit dhe pretendojnë se ai ka thënë ato fjalë - ndërsa në realitet Shejhul Islami vetëmse i ka cituar ato fjalë në librat e tij, që më pas t'i demantojë të njëjtat.
Dhe është e ditur për njerëzit e dijes se shumë armiq të Shejhul Islam Ibn Tejmijes, Allahu e mëshiroftë, kanë vepruar kështu kundër tij duke shpifur dhe manipuluar edhe në kohërat e mëhershme sikurse ka përmendur Imam Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë në librin e tij ''El-Bidaje uen-Nihaje'', dhe veprojnë edhe sot sikurse po i shohim disa të tillë, Allahu i udhëzoftë.
3. Pra, nuk është e vërtetë që Imam Ibn Haxher Eskalani, Allahu e mëshiroftë, i ka thënë ato fjalë si qëndrim i tij ndaj Shejhul Islam Ibn Tejmijes. Përkundrazi ai në atë libër flet dhe tregon mendimet e kundërshtarëve të Shejhul Islam Ibn Tejmijes, rrespektivisht akuzat që janë bërë kundër tij nga kundërshtarët e tij dhe flet lavdëratat që dijetarët e mëdhenjë të kohës së tij i kanë bërë për Shejhul Islam Ibn Tejmijen.
Dhe përfundimisht njerëzit e dijes e kanë të njohur se po në atë libër Imam Ibn Haxher Eskalani, për Shejhul Islam Ibn Tejmijen flet me dhjetëra fjalë të mira, ndër të cilat për të thotë: Ishte imam i imamëve, bekim i këtij Ummeti, lider i dijetarëve, shembull që njerëzit ta ndjekin, deti i diturisë, mrekullia e kohës sonë, i pakrahasueshëm në kohën tonë, imam i Muslimanëve, pasues i Selefit, shtypës i bidatçive dhe shumë fjalë të tjera të mira dhe të mëdha për të. Shih në ''Ed-Durer El-Kamineh'', 186-187.
4. Personat e tillë kanë për qëllim vetëm mbrojtjen e akides (besimit) të tyre të devijuar me çdo kusht, edhe nëse duhet të gënjejnë, shpifin mbi dikë, vetëm e vetëm që të mbrojnë akiden (besimin) e tyre të devijuar. Dhe të tillë janë përhapur edhe në mesin e muslimanëve shqipëtarë, të cilët pretendojnë se janë hoxhallarë dhe fëmijë të hoxhallarëve!
Andaj si mund të merret dituria prej tyre, kur nuk janë të besueshëm, janë mashtrues dhe manipulues të cilët fshehen pas emrave - pra fshehen në pretendimet e tyre se pasojnë ndonjërin nga katër Medh'hebet - zakonisht këta mashtrues pretendojnë se janë në Medh'hebin Hanefi, ndërsa nuk kanë asgjë të bëjnë me Medh'hebin e Imamit të nderuar Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë. (Shpjegime të Përkthyesit).
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment