Tuesday, December 23, 2014

Akuzave të neveritshme të Ibn Haxher Hejthemiut ndaj Shejhul Islam Ibn Tejmijes i përgjigjet Imami i madh Hanefij, Mulla Ali El-Kariu


Akuzave të neveritshme të Ibn Haxher Hejthemiut ndaj Shejhul Islam Ibn Tejmijes i përgjigjet Imami i madh Hanefij, Mulla Ali El-Kariu

Shejh Muhamed Salih El-Munexhid (Allahu e ruajtë) ka thënë: ''(Imam) Ibn Haxher El-Hejthemiu, njëri prej fukahave të mëdhenjë Shafi, i cili ka vdekur në vitin 974 H dhe i cili është dikush tjetër e jo (Imam) Ibn Haxher Eskalani - autori i (librit) ''Fet'h El-Bari'', i cili ka vdekur më 852 H, ka kritikuar dy Dijetarët e Islamit, Ibn Tejmijen dhe nxënësin e tij Ibn Kajjimin (El-Xheuzin), shumë dhe i ka akuzuar ata se e kanë përshkruar Allahun në aspekt fizik (trupor), se e kanë përngjasuar Atë me krijesat e Tij, dhe besime të tjera të neveritshme.
Por ai është përgënjeshtruar (është hedhur poshtë/kundërshtuar) nga shumë, të cilët kanë shpjeguar pavërtetësinë e asaj që ai ka thënë dhe demonstruan (vërtetuan) se dy Imamët ishin të pafajshëm ndaj çdo besimi i cili shkon kundër Kur'anit dhe Sunnetit. Njëri prej këtyre dijetarëve ishte:

Mulla Ali El-Kariu (ka vdekur me 1014 H), Allahu e mëshiroftë, i cili tha, pasiqë citoj akuzat e Ibn Haxher (Hejthemiut) ndaj tyre dhe kritikën e tij të akides së tyre:

''Unë them: Allahu i ka mbrojtur ata - pra, Ibn Kajjimin dhe Shejhun e tij Ibn Tejmijen - nga kjo akuzë e neveritshme.
Ai që e studion ''Sherh Menezil El-Se'irin'' nga Nedim El-Bari El-Shejh Abdullah El-Ensari, i cili është Shejhul Islam sipas Sufive, do të shoh qartë se ata janë nga Ehli Sunneti dhe Xhemati dhe se ata në të vërtetë janë ndër Evlijatë (miqtë e ngushtë të Allahut) e këtij Ummeti. Në mesin e asaj që ai ka thënë në librin e përmendur, ishte siç vijon:

''Këto fjalë të Shejhul Islamit kanë nxjerrë në pah pozitën e tij si një dijetar i mirënjohur (i spikatur) i Ehli Sunnetit, dhe pozitën e tij në mesin e dijetarëve, dhe ajo demonstron (vërteton) se ai është i pafajshëm (i pastër) nga ajo që armiqtë e tij Xhehmi e akuzuan atë, se ai e ka përngjasuar (krahasuar) Allahun me krijesat e Tij, siç ata zakonisht i kanë akuzuar dijetarët e hadithit dhe Sunnetit, ashtu siç Rafiditë i kanë akuzuar ata se janë Nasibij, dhe Nasibijtë i kanë akuzuar ata se janë Rafidij, dhe Mutezilitë i kanë akuzuar ata se janë Antropomorfist.
Ajo është një trashëgimi e armiqve të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) të cilët e akuzuan atë dhe shokët e tij (sahabët) se kanë shpikur një fe të re.
Dhe kjo është një trashëgimi e dijetarëve të hadithit dhe Sunnetit nga Profeti i tyre, se njerëzit e të pavërtetës (të devijimit) ju kanë dhënë atyre etiketime fyese (ofenduese).

Allahu e shenjtëroftë shpirtin e (Imam) Shafiut, i cili kur u akuzua se është Rafidi, tha: Nëse të jesh një Rafidi do të thotë të duash familjen e Muhamedit, atëherë të dy racat (e njerëzimit dhe xhinnëve) le të dëshmojnë se unë jam një Rafidi.

Allahu qoftë i kënaqur me Shejhun tonë, Ebul Abas Ibn Tejmije, kur ai tha: Nëse të jesh një Nasibi do të thotë të duash familjen e Muhamedit, atëherë të dy racat (e njerëzimit dhe xhinnëve) le të dëshmojnë se unë jam një Nasibi.

Allahu e faltë të tretin - Ibn Kajjimin - kur ai tha: Nëse të jesh një Antropomorfist do të thotë të pohosh (konfirmosh) Atributet Hyjnore dhe t'i konsiderosh ato si të qenët më lartë se sa interpretimi i një gënjeshtari, atëherë lavdërimi i takon Allahut, unë jam një Antropomorfist; sjellni dëshmitarët tuaj.''1

Burimi: ''Mirkah El-Mefetih'', 8/146, 147, nga Imam Mulla Ali El-Kariu El-Hanefiu, Allahu e mëshiroftë.

Përktheu: Jetmir Jakupi

1. E kemi cekur edhe në disa tema tjera se arsyeja e përkthimit të këtyre teksteve në lidhje me këto akuza dhe me disa grupe të devijuara, është për shkak se të tillët fatkeqësisht kohëve të fundit janë përhapur edhe në mesin e shqiptarëve dhe kanë filluar t'i akuzojnë me të madhe Imamët e Ehli Sunnetit.
Andaj meqë na janë parashtruar shumë pyetje në lidhje me disa paqartësi (e akuza) që kanë hapur të devijuarit e tillë, po mundohemi që kohë pas kohë nëpërmjet temave të këtilla t'i përgënjeshtrojmë ato.
Disa të devijuar që e sulmojnë Shejhul Islam Ibn Tejmijen dhe nxënësin e tij Imam Ibn Kajjim El-Xheuzin, e që e konsiderojnë veten Hanefi, shpesh herë argumentohen me fjalët e këtij imami Shafi, pra Ibn Haxher El-Hejthemiut, Allahu e mëshiroftë kundrejt këtyre dy imamëve.
Mbase sikurse u pa edhe më lartë, imamët e mëdhenjë Hanefi, i kanë përgënjeshtruar akuzat e tilla ndaj këtyre dy imamëve (Shejhul Islam Ibn Tejmijes dhe Imam Ibn Kajjimit), dhe i kanë konsideruar këta imam prej dijetarëve më të mëdhenjë të Ehli Sunnetit dhe prej Evlijave (miqve të ngushtë të Allahut).
Mund të parashtrohet pyeta: A thua pse kjo xhelozi dhe inat i madh i tyre ndaj këtyre dy imamëve (Shejhul Islam Ibn Tejmijes dhe Imam Ibn Kajjimit)? Përgjigja është e thjeshtë: Ngase këta dy imam, ishin therrë në sy për bidatçitë (të devijuarit) e edhe pas vdekjes së tyre deri në ditët tona, mbesin të tillë për bidatçitë. (Shpjegim i Përkthyesit).

No comments:

Post a Comment