Friday, December 12, 2014

A është e vërtetë se Imam Buhariu ka transmetuar hadithe nga Hauarixhët dhe a është e lejuar që të transmetohen hadithe nga ta?


A është e vërtetë se Imam Buhariu ka transmetuar hadithe nga Hauarixhët dhe a është e lejuar që të transmetohen hadithe nga ta?

Pyetje: Shejh na ka arritur kjo pyetje të cilën e përcollëm deri tek ju1: A është e lejuar që të transmetohen hadithe nga Hauarixhët? A është e vërtetë se Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë ka transmetuar hadithe nga Hauarixhët?

Përgjigje: Të gjitha lavdërimet e përsosura i takojnë Allahut, Zotit të Botërave. Unë dëshmojë se nuk ka asnjë të denjë për adhurim përveç Allahut, dhe se Muhamedi, është rob dhe i Dërguari i Tij.

Nëse do të thuash ''A është e lejuar të transmetohet një Hadith, në qoftë se njëri prej transmetuesve të tij është nga Hauarixhët'', atëherë përgjigja është se dijetarët dallojnë (ndryshojnë) në mendime në lidhje me lejueshmërinë e kësaj; disa prej tyre e kanë ndaluar atë dhe disa e kanë lejuar, sepse Hauarixhët nuk e konsiderojnë të lejuar të gënjejnë; në fakt, ata besojnë se ai i cili gënjen del nga rrethi i Islamit. Prandaj, mund të jetë e sigurtë se ata nuk gënjejnë në llogari të tyre.
Imam Ebu Davudi, Allahu e mëshiroftë, Autori i Sunenit, ka thënë: ''Nuk ka asnjë në mesin e njerëzve të cilët ndjekin dëshirat (epshet) e tyre më të sinqertë (më të besueshëm) kur ata transmetojnë Hadith, se sa Hauarixhët.''

Enciklopedia e Fikhut thotë: ''Ebu Hanife, Shafiu, Jahja Ibn Seidi, Ali Ibn El-Medini dhe të tjerët, kanë lejuar transmetimin nga njerëz të cilët i pasojnë dëshirat (epshet) e tyre nëse ata kanë qenë të njohur se ishin të sinqertë (të besueshëm) dhe ata nuk ishin të dyshuar se gënjejnë (siç janë) Hauarixhët, por jo nga ata të cilët dyshohet se gënjejnë në mesin e njerëzve që ndjekin dëshirat (epshet) e tyre.'' (Fund i citatit).

Është për këtë arsye që Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, ka raportuar nga disa Hauarixh të cilët janë të përshkruar si mjeshtëror në mësim përmendësh të Hadithit, sepse ata nuk gënjejnë.

Shejhul Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë (në librin e tij  ''Minhexh Es-Sunneh En-Nebeuije''): ''Hauarixhët vështirë që gënjejnë; në fakt, ata janë më të sinqertit (më të besueshmit) në mesin e njerëzve pavarësisht faktit se ata janë pasues të bidatit dhe devijimit.''

Shejhul Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, gjithashtu ka thënë: ''Nuk ka asnjë në mesin e njerëzve të cilët ndjekin dëshirat (epshet) të cilët janë më të sinqertë dhe më të devotshëm në adhurim se sa Hauarixhët; Ehli Sunneti merret (sillet) me ta me drejtësi dhe me paanshmëri dhe nuk gabojnë (nuk bëhen të padrejtë) ndaj atyre.''

Allahu e di më së miri.

Fetuaja me numër 275245, drejtuar Shejhut, Dr. Abdullah El-Fekihut, specialist në fikh dhe në gjuhë arabe.

Pyetja është parashtruar dhe është përkthyer nga: Jetmir Jakupi

1. Pyetja na është parashtruar nga një vëlla pas leximeve që ai u ka bërë disa shkrimeve të një 'hoxhe' shqipëtarë (i cili pretendon të jetë Hanefi - në realitet Maturidi), i cili fliste keq kundër Imam Buhariut, duke përdorur fjalë të tilla si ''Buhariu kishte Shejha (mësues) Hauarixh'' dhe ''Transmetonte hadithe nga Hauarixhët''.
Qëllimi i këtij 'hoxhe' (edhe pse ai pretendon se nuk ka qëllim të tillë) është të rrëzojë (t'ia ulë vlerën) Imam Buhariut në sytë e xhematit shqipëtarë.
Mirëpo kjo gjë është e kotë, pavarësisht se çfarë pretendojnë bidatçitë. Ka thënë Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë: ''Dijetarët (Allahu i mëshiroftë) janë pajtuar se librat më të sakta pas Kur'anit janë dy Sahihët, i Buhariut dhe i Muslimit, të cilat janë të pranuara nga Ummeti. 
Libri i Buhariut është më i saktë dhe më i dobishëm prej të dyve.'' (''Sherh Muslim'', 1/14).

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, gjithashtu ka thënë: ''Ummeti është pajtuar në mënyrë unanime (ka ixhma) se këto dy libra (Sahihul Buhari dhe Sahihul Muslim) janë sahih (të sakta) dhe është e detyrueshme që të pasohen hadithet e tyre.'' (''Tehdhib El-Esma uel-Luhat'', 1/73). (Shpjegim i Përkthyesit).

No comments:

Post a Comment