Friday, September 5, 2014

Tregoju Bidatçive se mes neve dhe atyre janë funeralet (xhenazet) - Xhenazja e Shejhul Islam Ibn Tejmijes


Tregoju Bidatçive se mes neve dhe atyre janë funeralet (xhenazet) - Xhenazja e Shejhul Islam Ibn Tejmijes

Imam Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, kur flet për funeralin (xhenazen) e Shejhul Islam Ibn Tejmijes, Allahu e mëshiroftë, thotë:

''(Imam) Ahmed Ibn Hanbeli, ka thënë: ''Tregoju Bidatçive se mes neve dhe atyre janë xhenazet (funeralet)'', dhe nuk ka asnjë dyshim se funerali i Imam Ahmedit ishte i gjërë dhe i madh për shkak të asaj se si ishte qyteti i tij i populluar, dhe se si njerëzit mblidheshin për të dhe e rrespektonin atë, dhe qeveria e donte atë.
Shejh Teki Ud-Din (Shejhul Islam Ibn Tejmije) vdiq në tokën e Damaskit, dhe popullata e tij nuk ishte askund afër nga ajo e Bagdadit në madhësi.
Megjithatë, ata u mblodhën për xhenazen e tij në numër të tillë që në qoftë se sunduesi do t'i kishte detyruar ata të dilnin, ata nuk do të dilnin jashtë në numrat që u panë atë ditë, dhe kjo është e gjitha për një njeri i cili ka vdekur në një kala i burgosur nga sunduesi.''

Imam Bazari, ka thënë: ''Ata thanë se sapo ndëgjuan njerëzit për vdekjen e tij (Shejhul Islam Ibn Tejmijes), nuk kishte asnjë që jetonte në Damask, i cili donte të vinte të falej për të dhe ishte i lirë e që nuk veproi ashtu.
Secili la anash çfarëdo që ishte duke bërë - i mbyllën dyqanet, ndërpren mjetet e jetesës dhe punën, dhe të gjithë autoritetet, guvernatorët, dijetarët, juristët, ushtarët, gjeneralët, burrat, gratë dhe fëmijët e tyre nga të gjitha nivelet e shoqërisë dolën jashtë për xhenazen e tij.
Për dijen tonë, asnjëri nuk qëndroi pas nga ky funeral përveç tre njerëzve të cilët ishin të njohur për armiqësinë e tyre kundrejt Shejhut (Ibn Tejmijes).
Ata u larguan dhe u fshehën nga frika se nëse dalin jashtë, njerëzit do të gjuanin gurë mbi ta dhe do t'i vritnin ata.''

Imam Bazari, në vazhdim thotë: ''Njëri nga ata që ishte i pranishëm tha: ''Jam falur pranë tij në xhami, dhe unë gjithashtu kisha njërin që më kishte ruajtur një vend që të falem pranë tij në qendër të Damaskit, siç doja të shihja sasinë e madhe të njerëzve. Kështu që, ndërsa isha duke u falur, unë shikoja djathtas dhe majtas, dhe nuk mund të shihja se ku mbaronte turma.
Më saktë, unë pashë se njerëzit kishin zënë çdo hapësirë të vogël që mund të zihej.''

Imami, vazhdon ndër të tjera thotë: ''Një grup i atyre që ishin të pranishëm atë ditë kanë rënë dakord në shikimin e numrit të njerëzve që janë falur atë ditë, se ata lehtë kanë tejkaluar 500.000 njerëz. 1
Ekspertët në histori thonë se ata kurrë nuk kanë ndëgjuar për një namaz të xhenazes se ishte aq i madh sa ky, përveç ai i Imam Ahmed Ibn Hanbelit, Allahu e mëshiroftë.
Shems Ud-Din El-Veziri më në fund u shfaq kur ai u soll në varrin e tij, pasiqë ai nuk ishte i pranishëm më parë, dhe ai dhe guvernatorët me të falën (namazin e xhenazes për) Ibn Tejmijen.

Asnjë xhenaze nuk është parë asnjëherë duke ngjallur aq shumë ndjenja të tilla të rrespektit, nderimit, lavdërimit, nga populli dhe kjo ishte e gjitha për shkak të diturisë së tij, veprave, asketizmit, adhurimit, refuzimit të dunjasë, preokupimit me Ahiretin, brengosjes, varfërisë së tij, shqetësimit, bujarisë, burrërisë, durimit, qëndrueshmërisë, guximit, përceptimit të thellë, ndershmërisë në të folur të vërtetën, ashpërsisë kundër armiqëve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe të devijuarve nga Feja e Tij, rrespekti ndaj evlijave të Allahut, mungesa e tij e vëmendjes në kënaqësitë e kësaj bote, dëshira e tij ekstreme për botën tjetër, dhe ndjekja e tij e vazhdueshme për të.
Dhe ju do të ndëgjoni të flitet për këto gjëra dhe shumë të tjera nga burrat, gratë dhe fëmijët, dhe ata të gjithë do të lavdërojnë atë për ato që ata dinin prej tij.''

Thotë Imam Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë: ''Kishte aq shumë njerëz para xhenazes së tij, pas (xhenazes) tij, në anën e djathtë dhe të majtë të (xhenazes së) tij.
Asnjë, përveç Allahut nuk mund t'i numëronte ata, atëherë njëri bërtiti: ''Kështu duhet të jenë xhenazet e Imamëve të Sunnetit!''
Në këtë (me të ndëgjuar këto fjalë), njerëzit filluan të qajnë... kur ezani i drekës është dhënë, ata u falen menjëherë pas saj kundër normës së zakonshme.
Pasiqë mbaruan namazin, zëvendës hatibi doli - meqë hatibi kryesorë mungonte dhe ishte në Egjipt - ai e udhëhoqi namazin mbi (Shejhul Islam) Ibn Tejmijen...
Pastaj njerëzit u derdhën (zbrazën) nga të gjitha anët dhe të gjitha dyert e xhamisë.. dhe ata u mbledhën në tregun El-Hajl.''2

Burimi: ''El Bidaje uen Nihaje'', 14/130, 138 dhe ''El-E'lem El-Alijeh fi Menekib Ibn Tajmije''.

Përktheu: Jetmir Jakupi

1. Në një transmetim nga Imam Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, kanë marrë pjesë diku 100 mijë persona në xhenazen e tij. Por ajo që dihet sigurtë është se numri ka qenë tejet i madh saqë nuk është parë ndonjë numër i tillë i madh për xhenaze, përveç për Imam Ahmed Ibn Hanbelin, Allahu e mëshiroftë. Allahu subhanehu ue teala, e di më së miri.
2. Pra dijetarët e Selefit, nuk kanë marrë pjesë në xhenazet e bidatçive, prandaj edhe Imam Ahmed Ibn Hanbeli, kur ka thënë: ''Tregoju Bidatçive se mes neve dhe atyre janë xhenazet (funeralet)'', ka pasur për qëllim se pasiqë të vdesë një dijetarë, nga numri i atyre që marrin pjesë në xhenazen e tij, tregohet se a ka qenë i tilli bidatçi apo jo.
Çfarë mund të thuhet për Shejhul Islam Ibn Tejmijen, Allahu e mëshiroftë, që me qindra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në xhenazen e tij?!
Ai është një nga dijetarët më të mëdhenjë që njeh historia islame, ka qenë shpatë kundër Pasuesve të Bidatit, të cilët shpifën dhe ende shpifin për të, e burgosën e malltretuan dhe u munduan ta nënçmojnë, pretendojnë se ka qenë i devijuar dhe shumë gjëra të tjera, por prap njerëzit e donin atë, saqë edhe vetë kundërshtarët e tij në fund e pranonin se ai ka qenë nga dijetarët më të mëdhenjë të këtij Ummeti.
Allahu subhanehu ue teala, e mëshiroftë Shejhul Islam Ibn Tejmijen, dhe na bashkoftë me të dhe me dijetarët e drejtë në Xhennet. (Shpjegim i Përkthyesit).

No comments:

Post a Comment