Friday, September 2, 2016

Thënia 'Alejhi Selam' dhe 'KerremAllahu Uexhhehu' veçanërisht për Ali Ibn Ebi Talibin dhe Ehli Bejtin


Thënia 'Alejhi Selam' dhe 'KerremAllahu Uexhhehu' veçanërisht për Ali Ibn Ebi Talibin dhe Ehli Bejtin

Në lidhje me këtë çështje dijetarët janë ndarë në mendime se a lejohet përdorimi i këtyre fjalëve ndaj dikujt tjetër jashta Pejgamberëve të Allahut, dhe e vërteta është se kjo fjalë nuk është përdorur vetëm për Ali Ibn Ebi Talibin dhe Ehli Bejtin radiallahu anhum, por edhe për sahabë të tjerë. Më saktë ajo që e kanë thënë dijetarët e Ehli Sunnetit është se nëse duhet të përdoren fjalë të tilla për dikë, atëherë më primare është të përdoren për Ebu Bekrin, Omer Ibn Hattabin dhe Uthman Ibn Affanin radiallahu anhum, të cilët janë më meritor se sa Ali Ibn Ebi Talibi radiallahu anhu.

Imam Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë ka thënë: ''Kjo frazë është përdorur shumë nga shkruesit të cilët kanë transkriptuar libra në të cilin fraza 'alejhi selam (paqja qoftë mbi të) është përdorur për Aliun (radiallahu anhu), me përjashtim të Sahabëve të tjerë, ose janë përdorur fjalët ''KerremAllahu uexhhehu''.
Ndonëse kuptimi është i pranueshëm, ne duhet t'i respektojmë të gjithë Sahabët në mënyrë të barabartë në këtë mënyrë, sepse kjo është një lloj i nderimit dhe i respektimit, dhe dy Shejhat (Ebu Bekri dhe Omer Ibn Hattabi) dhe Prijësi i Besimtarëve Uthmani janë më meritor për këtë - Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.''1

Disa dijetarë kanë thënë se arsyeja e ndalimit të përdorimit të këtyre frazave për dikë nga sahabët është që të mos përngjasojmë me Shijat të cilët në këtë formë e veçojnë Ali Ibn Ebi Talibin dhe Ehli Bejtin radiallahu anhum.2

Mirëpo shprehje të tilla janë përdorur edhe për shumë sahabë jashta Ehli Bejtit, sikurse për Ebu Bekrin, Omer Ibn Hattabin, për Ebu Aufën radiallahu anhum. Është përdorur edhe për disa nga gratë e Profetit salallahu alejhi ue selem, si për Aishen, Hadixhen dhe Hafsën radiallahu anhuma.
Të gjitha këto i transmetojnë Muslimi, Darekutni, Ibn Kethiri, Hatib El-Bagdadi, Ibn Tejmija, Ibn Sa'di, Ebu Davudi, Ibn Haxheri e të tjerë.

Shkruar nga: Jetmir Jakupi

1. ''Tefsir Ibn Kethir'', 3/517.
2. ''Muxhem El-Menehi El-Lefzijah'', fq.454, nga Shejh Bekr Ebu Zejdi, Allahu e mëshiroftë.

No comments:

Post a Comment