Saturday, September 10, 2016

A ishte vetëm Ibn Tejmija ai që e saktësonte thënien e Imam Muxhahidit rreth uljes së Profetit në Arsh?


A ishte vetëm Ibn Tejmija ai që e saktësonte thënien e Imam Muxhahidit rreth uljes së Profetit në Arsh?

Grupacionet e devijuara e kundërshtojnë dhe e akuzojnë Shejhul Islam Ibn Tejmijen se ai ishte i vetmi që thoshte se thënia e Imam Muxhahidit se Allahu do të lë vend për Profetin salallahu alejhi ue selem që të ulet në Arsh, mirëpo kjo gjë nuk është e vërtetë.
Më saktë, dijetarët nuk kanë qenë gjithë të një mendimi sikurse do ta sqarojmë në vazhdim në lidhje me komentimin e ajetit 79 të sures El-Isra, respektivisht ajetin: ''Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në El-Mekam El-Mahmud (në një vend të lavdëruar).''

Sipas mendimit më të saktë, mendim të cilin edhe ne e pasojmë - 'El-Mekam El-Mahmud' është për qëllim ndërmjetësimi i madh që do t'i jepet Muhamedit salallahu alejhi ue selem në Ditën e Gjykimit për këtë Ummet dhe ky është mendimi i shumicës së komentuesve të Kur'anit dhe dijetarëve.

Fillimisht vlen të ceket se Imam Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë ishte prej tabi'inëve dhe fillimisht këtij Imami i atribohet thënia 'Allahu do ta ulë Pejgamberin me Të në Arshin e Tij.'

Në lidhje me këtë thënie nga Imam Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë dijetarët kanë polemizuar fillimisht se a i ka thënë ky Imam vërtetë këto fjalë dhe për këtë dy mendime:

1. Një grup i dijetarëve kanë thënë se kjo thënie i atribuohet gabimisht Imamit - pra nuk i ka thënë këto fjalë dhe se ky qëndrim është i gabuar.
2. Një grup i dijetarëve kanë thënë se këto fjalë vërtetë i ka thënë Imam Muxhahidi dhe vetë ata kanë qenë të këtij mendimi.

Imam Ibn Haxher Eskalani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: ''(Imam Abdurrahman) Ibnul Xheuzi ka thënë: ''Shumica e (dijetarëve) janë të mendimit se El-Mekam El-Mahmud do të thotë Shefati (ndërmjetësimi). Është thënë: ''Është ulja në Arsh.'' Është thënë gjithashtu: ''Është ulja në Kursi.''
Një grup (i dijetarëve) i kanë përmendur këto dy thënie. Nëse ato (thënie) vërtetohen atëherë ato nuk janë në kundërshtim me thënien e parë (domethënë se nënkupton ndërmjetësimin), sepse është një mundësi se Ulja nënkupton lejimin e ndërmjetësimit, dhe gjithashtu është e mundur se Ulja është në të vërtetë Ndërmjetësimi sikurse është e njohur dhe Ulja në të vërtetë është një gjendje që është el-uasiletu uel-fadileh.''1

Pra, jo vetëmse Ibnul Xheuzi po tregon se është mendimi i tillë në mesin e një grupi të dijetarëve, por ai gjithashtu po thotë se ky mendim nuk është kundër mendimit të shumicës së dijetarëve! Pra, këta që akuzojnë Shejhul Islam Ibn Tejmijen, tash duhet ta akuzojnë edhe Ibnul Xheuzin që jetoi 200 vite para Ibn Tejmijes dhe Ibn Haxher Eskalanin që e sjell këtë mendim.

Dijetarë të shumtë kishin mendimin se El-Mekam El-Mahmud nënkupton se Allahu subhanehu ue teala, do ta ulë Muhamedin alejhi selam në Arshin e Tij. Fjalët e dijetarëve janë të shumta, mirëpo ne do të përmendim disa thjeshtë për të kuptuar se nuk ishte vetëm Ibn Tejmija sikurse e akuzojnë të devijuarit.

Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë ka thënë: ''Në mesin e atyre të cilët thonë se transmetimi i Muxhahidit duhet të pranohet dhe të mos kundërshtohet janë: Abas Ibn Muhamed Ed-Dauri El-Hafidhi, Jahja Ibn Ebi Talib El-Muhadithi, Muhamed Ibn Ismail Es-Sulemi Et-Tirmidhiu El-Hafidhi, Ebu Xhafer Muhamed Ibn Abdul Malik Ed-Dakiki, Ebu Davud Sulejman Ibn El-Eshe'th Es-Sixhistani autori i Es-Sunnetit (autori i librit ''Suneni i Ebu Davudit''), Imami i kohës së tij Ibrahim Ibn Is'hak El-Harbi, Hafidh Ebu Kilabe Abdul Malik Ibn Muhamed Er-Rikashi, Hamdan Ibn Ali El-Uerak El-Hafidhi dhe një grup i njerëzve të tjerë nga Ulematë e Sunnetit.''2

Imam Dhehebiu, ka thënë: ''Shpjegimi që Muxhahidi i ka dhënë këtij ajeti, sikurse e përmendëm më lartë është kundërshtuar nga disa prej dijetarëve. El-Mirvezi (nxënës i Imam Ahmed Ibn Hanbelit) është munduar shumë që ta mbrojë këtë qëndrim (të Muxhahidit), dhe ai ka përpiluar një libër në lidhje me këtë çështje...''3

Imam Ibn Abdul Berri, Allahu e mëshiroftë edhe pse e kundërshton thënien e Imam Muxhahidit e pranon se këtë thënie e ka thënë Imam Muxhahidi, pra pse askush nuk i akuzon këta Imam që i kanë thënë këto fjalë?!4

Në transmetime të tjera të shumta, përmenden thëniet e imamëve të cilët kishin besimin se El-Mekam El-Mahmud do të thotë se Allahu do ta ulë Pejgamberin në Arshin e Tij në Ditën e Gjykimit, si: Imam Muxhahidi, Seid Ibn Ijas El-Xhurejri, Imami i Ehli Sunnetit Ahmed Ibn Hanbeli, Ebu Xhafer Muhamed Ibn Abdul Malik Ed-Dekiki, Harun Ibn Marufi, Abdul Vehab El-Veraku, Is'hak Ibn Ravejh, Ebu Davud Es-Sixhistani, Muhamed Ibn Mus'abi, Ibrahim Ibn Matuvejh El-Esbahani, Ebu Kilabe Er-Rikashi, Ali Ibn Sehl El-Bezazi, Ebu Ubejd El-Kasim Ibn Selami, Abas Ibn Muhamed Ed-Deuri, Ebu Bekr El-Axhuri, Abdullah Ibn Ahmed Ibn Hanbeli e shumë dijetarë të tjerë.

Të gjitha thëniet e këtyre imamëve dhe të tjerëve mund të gjenden në librat: ''Et-Temhid''; ''El-Uluv'', ''Esh-Sheriah''; ''Tabekat El-Hanabile''; ''Es-Sunneh'' nga Imam Halali dhe nga Imam Abdullah Ibn Ahmed Ibn Hanbeli'';  ''Ibtal Et-Teuilat'' etj.

Shkruar nga: Jetmir Jakupi

1. ''Fet'h El-Bari'', Kitab El-Edhan, hadithi 614.
2. ''El-Uluv'', 1/194.
3. ''El-Uluv'', 2/1081-1090, nr.422-426.
4. ''Et-Temhid'', 7/157.

No comments:

Post a Comment