Wednesday, February 18, 2015

A konsiderohen Hauarixhët musliman?


A konsiderohen Hauarixhët musliman?

Pyetje: Çfarë (mund të na thoni) në lidhje me Hauarixhët (Harixhitët).

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut.

Hauarixhët (Harixhitët) janë një prej grupeve të devijuara, sikurse është vërtetuar nga tekstet (hadithet) dhe ixhmaja (konsensusi) i dijetarëve.

(Imam) Buhariu (6934) dhe (Imam) Muslimi (1068) kanë transmetuar se Jusejr Ibn Amri, ka thënë: ''I thashë Sehl Ibn Hunejfit: A e ke ndëgjuar Profetin (salallahu alejhi ue selem) të thotë ndonjë gjë në lidhje me Hauarixhët?
Ai tha: ''E kam ndëgjuar duke thënë - dhe ai bëri me dorë drejtë Irakut: ''Prej atje do të dalin njerëz të cilët e recitojnë Kur'anin, por nuk do ta kalojë fytin e tyre. Ata do të dalin nga Islami sikurse del shigjeta nga harku.''

(Imam) Ibn Maxhe (173) transmeton se Ibn Ebi Aufe, ka thënë: ''I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: ''Hauarixhët janë qentë e Xhehennemit.'' E ka klasifikuar si të saktë (Shejh) Albani në ''Sahih Ibn Maxhe''.

Hauarixhët janë pasues të epsheve dhe dëshirave dhe bidatit të cilët kanë devijuar nga rruga e Ehli Sunnetit dhe Xhematit, por ne nuk i përshkruajmë (nuk i konsiderojmë) ata si kafira (jobesimtarë) për shkak të bidatit të tyre, sikurse tjerët të cilët ndjekin epshet dhe dëshirat.

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: ''Qëndrimi i (Imam) Shafiut dhe shumicës së shokëve të tij dijetarë është se Hauarixhët nuk duhet të përshkruhen si jobesimtarë; kjo gjithashtu aplikohet për Kaderitë dhe shumicën e Mutezilëve dhe grupeve tjera të cilat pasojnë epshet dhe dëshirat.'' Fund i citatit nga ''Sherh Muslim'', 7/160.

Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: ''Hauarixhët të cilët devijuan, për të cilët Profeti (salallahu alejhi ue selem) na ka urdhëruar neve që t'i luftojmë, dhe të cilët Emir El-Mu'minin, Aliu (radiallahu anhu), njëri prej Halifëve të Drejtë të Udhëzuar i luftoi, dhe të cilët dijetarët udhëheqës të Islamit nga mesi i Sahabëve, Tabi'inëve dhe atyre që erdhën pas tyre që kanë qenë të pajtuar unanimisht që t'i luftojnë, nuk janë përshkruar (nuk janë konsideruar) si jobesimtarë nga Ali Ibn Ebi Talibi, Sad Ibn Ebi Vekasi dhe tjerët nga mesi i Sahabëve; më saktë ata i kanë konsideruar si Musliman edhe pse i kanë luftuar ata, dhe Aliu nuk i ka luftuar ata derisa ata nuk kanë derdhur gjak padrejtësisht dhe nuk i kanë uzurpuar pronat e Muslimanëve; atëherë ai i ka luftuar ata me qëllim që t'i ndalojë nga veprat e këqija dhe agresioni, e jo pse ata ishin jobesimtarë. Prandaj ai nuk i ka marrë si robëresha gratë e tyre dhe nuk e ka marrë pasurinë e tyre si plaçkë.'' Fund i citatit nga ''Mexhmu El-Fetaua'', 3/282.

Ibn Abidini (dijetari i madh Hanefi - Allahu e mëshiroftë) ka thënë: ''Edhe pse mund të gjesh se disa dijetarë, në kontekstin e debatit me Mutezilitë dhe grupet e tjera, e përdorin fjalën kufër (mosbesim) kur i refuzojnë argumentet e tyre, çfarë ata kanë për qëllim është se argumentet e tyre (të Mutezilëve) domosdo përmbajnë mosbesim, pa pasur për qëllim se ata vetë janë jobesimtarë, sepse çfarë mund të konkludohet nga një qëndrim nuk është domosdoshmërisht e nevojshme t'i atribohet atij i cili mban atë qëndrim. Për më shumë, ata mendojnë se kanë argument sheriatik që të mbështesë qëndrimin e tyre, edhe pse ata janë në devijim dhe janë duke rënë në gabim.'' Fund i citatit nga ''Hashijet Ibn Abidin'', 3/46.

Shejh Abdurrahman Ibn Salih El-Mahmud (Allahu e ruajtë atë) është pyetur: A janë Hauarixhët kafira (jobesimtarë)?

Ai u përgjigj: ''Dijetarët kanë ndryshuar (dalluar në mendime) në lidhje me atë se a janë ata jobesimtarë, por qëndrimi i drejtë është se ata nuk konsiderohen si jobesimtarë.
Ali Ibn Ebi Talibi (radiallahu anhu) është pyetur në lidhje me ta: A janë ata jobesimtarë? Ai ka thënë: ''Ata kanë ikur nga mosbesimi, por kanë rënë në bidatin e etiketimit të të tjerëve si jobesimtarë; ne nuk do të biejmë në bidatin e etiketimit të të tjerëve si jobesimtarë dhe kështu t'i etiketojmë ata si të tillë.
Ky është qëndrimi i saktë, in sha Allah, edhe pse bidatet e tyre mund të përshkruhen (konsiderohen) se përmbajnë kufër (mosbesim).'' Fund i citatit nga ''Lem'et El-I'tikad'', 7/26.

Nga mesi i bidateve të tyre janë këto që vijojnë:

- Ata mendojnë se imani nuk rritet ose zvogëlohet.

- Ata mendojnë se mosarritja e kryerjes së veprave obligative përmban kufër (mosbesim).

- Ata mendojnë se kryerja e gjynaheve të mëdha përmban kufër (mosbesim).

- Ata besojnë në luftimin e atyre Muslimanëve të cilët nuk pajtohen me ta.

Dhe Allahu e di më së miri.

Autor: Shejh Muhamed Salih El-Munexhid, Allahu e ruajtë.

Përktheu: Jetmir Jakupi

No comments:

Post a Comment